KUSHTET
E FESË


Lexoni këtë broshurë në PDF format


PËRMBAJTJA


Hyrje

Kushtet e nënshtrimit (Islamit)

1. Dëshmia (shehadeti)

2. Falja (salati)

3. Zekati

4. Agjërimi

5. Haxhxhi

Kushtet e besimit (Imanit)

1. Besimi në Zotin

2. Besimi në melekët (engjujt)

3. Besimi në librat e shpallura

4. Besimi në të dërguarit

5. Besimi në ditën e Gjykimit

6. Besimi në përcaktimin e Zotit

Kushti i mirësisë (Ihsanit)

Me emrin e Allahut,
të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit

Hyrje

Lavd-falënderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.

Qoftë bekimi mbi të dërguarin e Tij, Muhamedin, mbi ne dhe mbi të gjithë robërit e mirë të Allahut.

Iu rreka këtij punimi, duke dashur t’i përshkruaj në mënyrë sa më të shkurtë kushtet që Allahu i përcaktoi për njerëzit që dëshirojnë ta besojnë dhe respektojnë Krijuesin e tyre në mënyrën që Ai e meriton. Prandaj edhe kjo fletushkë ka përmbajtje të shkurtë, ashtu siç është edhe Islami - i lehtë, i thjeshtë dhe i afërt për çdokend. I Dërguari i Zotit, Muhamedi a.s. thotë:

“Vërtet feja është lehtësi, dhe kushdo që e vështirëson fenë, ajo e ngadhënjen atë!...”[1]

Fletushka bazohet në ndodhinë që e ka transmetuar Umeri r.a.:

“Një ditë ishim duke ndenjur tek i Dërguari i Allahut a.s., kur u duk një njeri me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zeza. Në të nuk hetohej shenja e udhëtimit dhe askush prej nesh nuk e njohëm. U ul pranë të Dërguarit të Allahut a.s. duke i mbështetur gjunjët e vet në gjunjët e tij, i vendosi duart e veta në kofshën e tij dhe tha:

-O Muhamed, më trego ç’është Islami?[2] - i Dërguari i Allahut a.s. tha:

-Islam është të dëshmosh se nuk ka hyjni tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Allahut, ta kryesh namazin, ta japësh zekatin, ta agjërosh ramazanin dhe ta vizitosh Ka’ben, nëse ke mundësi! - ai tha:

-Të vërtetën e the. - ne u çuditëm (thotë Umeri r.a.): Po e pyet dhe po ia vërteton. Ai tha:

-Më trego ç’është imani?[3] - (i Dërguari i Allahut a.s.) tha:

-Ta besosh Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, ditën e Fundit dhe të besosh në të caktuarit e Tij të së mirës dhe së keqes. 

-Të vërtetën e the - tha ai dhe shtoi:

-Më trego ç’është ihsani?[4] - (Muhamedi a.s.) tha:

-Ta adhurosh Allahun sikur ta shohësh, sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai vërtet të sheh ty. - tha:

-Më trego kur është Çasti (i fundit, dita e shkatërrimit)? - (Muhamedi a.s.) tha:

-Për këtë i pyeturi nuk di më shumë nga pyetësi. - tha:

-Më trego mbi shenjat e tij? (Muhamedi a.s.) tha:

-Kur robëresha t’i lindë vetes zonjushë dhe kur të shihen barinjtë këmbëzbathur, të zhveshur e të mjerë se si garojnë në ndërtimin e godinave të mëdha. - (‘Umeri r.a. thotë:) pastaj ai shkoi, kurse unë mbeta një kohë. Më vonë (i Dërguari a.s.) tha:

-O Umer, a e di se kush ishte pyetësi? - thash:

-Allahu dhe i Dërguari i Tij më së miri e dinë. - tha:

-Vërtet ishte Xhibrili, erdhi t’ua mësojë fenë tuaj.[5]

Zoti e pranoftë këtë vepër nga unë dhe nga të gjithë ata që më ndihmuan, na i faltë mëkatet dhe na shpërbleftë me xhennetin Firdews të gjithë besimtarëve.

Amin.

Kushtet e nënshtrimit
(Islamit)

1. Dëshmia (shehadeti)

2. Falja (namazi)

3. Zekati

4. Agjërimi

5. Haxhxhi

 

Kushtet e nënshtrimit ndaj Zotit janë të përcaktuara për të gjithë njerëzit, ndërsa ata që i pranojnë këto, marrin emrin “muslimanë” (të nënshtruar), duke u bërë kështu pjesëtarë të unitetit që (momentalisht) numëron rreth 1.5 miliardë njerëz. Moskryerja e ndonjë prej këtyre kushteve rezulton vuajtje (qoftë shpirtërore ose trupore) në këtë botë, ndërsa në botën tjetër dënim të rreptë. Nga ana tjetër, kryerja e tyre vërteton sinqeritetin në nënshtrim ndaj Zotit, ndërsa në botën tjetër siguron shpërblimet e papërshkrueshme.

 

1. Dëshmia (shehadeti)

Me pranimin e Islamit, çdo njeri e ka për obligim që ta shprehë këtë edhe haptazi, duke e thënë dëshminë në gjuhën arabe:

“Esh-hedu en la ilahe il-lAllah

We esh-hedu enne Muhameden

‘abduhu we resuluhu.”

(Dëshmoj se nuk ka hyjni tjetër pos Allahut, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.)

2. Falja (salati)

Pasi që vendos t’u nënshtrohet urdhërave të Krijuesit të Tij, muslimani e ka për obligim faljen e pesë namazeve në kohët e tyre:

1) Sabahu

2) Dreka

3) Ikindia

4) Akshami

5) Jacia

Është obligim që namazet të falen në kohën fillestare, mirëpo në rast të mospasjes kohë për shkak të ndonjë pune të domosdoshme, falja mund të shtyhet deri kah fundi i intervalit të përcaktuar për faljen e atij namazi.

1) Sabahu falet në agim - prej kur fillon dallimi mes errësirës së natës dhe dritës së zbehtë të mëngjesit, dhe vazhdon deri para lindjes së diellit.

2) Dreka falet pasi të lëvizë dielli prej zenitit, deri në atë pozitë kur hija e objektit fiton gjatësinë e vet objektit.

3) Ikindia falet menjëherë pas mbarimit të kohës së përcaktuar për faljen e drekës dhe vazhdon deri para perëndimit të diellit.

4) Akshami fillon pas perëndimit të diellit deri në errësimin e horizontit.

5) Jacia falet pasi që horizonti errësohet plotësisht, deri para agimit.

Duhet cekur se rreth faljes së namazeve ka lehtësime të mëdha për njerëzit e sëmurë, ata që kanë obligime, mysafirët etj., por lëshimi i namazeve me qëllim nuk arsyetohet me asgjë, ndërsa në rast të lëshimit të ndonjë namazi pa qëllim, ose me harresë, namazi duhet të falet në momentin kur të kujtohet. Allahu fal të gjitha mëkatet që bëhen paqëllimisht, ose me padijeni, mirëpo, siç e kemi përmendur edhe më parë, për lëshimin e ndonjërit nga kushtet e Islamit qëllimisht pason dënim i rreptë në botën tjetër, ndërsa për atë që mohon faljen e namazit ose një nga pesë kushtet e Islamit, qëndrimi Islam është se del nga feja dhe bëhet mosbesimtar.

3. Zekati

Zekati është obligim për personin, pasuria e të cilit arrin vlerën e nisabit, e cila për pasurinë në para dhe mall për tregti arrin vlerën prej 85 gramë ari e më tepër, nga e cila duhet dhënë 2,5 %, atëherë kur pasuria mbush një vit hixhri te pronari i saj.

Dobitë e zekatit janë të shumëanëshme: I pasuri jep të tepërtën, ndërsa i varfëri merr atë që i mungon, dhe kështu bëhet plotësimi i detyrës së njërit dhe nevojës së tjetrit.

4. Agjërimi

Një muaj në vit - gjatë muajit Ramazan, muslimani e ka për obligim agjërimin prej agimit (kur fillon të dallohet nata nga dita) deri në perëndimin e diellit. Gjatë ditës ndalohet çdo lloj ushqimi, pije dhe marrëdhëniet seksuale mes bashkëshortëve, ndërsa gjatë natës këto lejohen.

5. Haxhxhi

Për muslimanët që e sigurojnë familjen e tyre nga varfëria dhe që kanë mundësi për kryerjen e haxhxhit, kjo bëhet kusht i domosdoshëm.

Kryerja e haxhxhit sipas rregullave të caktuara dhe me sinqeritet rezulton falje mëkatesh nga ana e Allahut. Një prej dobive tjera të haxhxhit për muslimanët është edhe se ai paraqet një lloj tubimi vjetor. Gjatë kohës kur ai mbahet, mes muslimanëve nga të gjitha viset e botës ndërrohen mendime dhe përvoja.

Kushtet e besimit
(Imanit)

1. Besimi në Zotin

2. Besimi në melekët (engjujt)

3. Besimi në librat e shpallura

4. Besimi në të dërguarit

5. Besimi në ditën e Gjykimit

6. Besimi në përcaktimin e Zotit

 

Imani - besimi është shkallë e fesë kur njeriu më fillon ta ndiejë kënaqësinë e asaj që i është nënshtruar - Ligjit të përsosur të Zotit.

 

1. Besimi në Zotin

Nga përditshmëria njohtohemi se çdo send që ka formë, ka formësuesin e vet. Projektin e ndërtesës e ka vizatuar arkitekti, tavolinës ia ka dhënë formën përfundimtare zdrukthtari, gota është ndërtuar në fabrikë, etj. Mirëpo, përsëri diçka ngelet e paqartë: a thua është e njëjtë dhënia e formës me krijimin e materies së parë? Këtu hasim dy shprehje: formim dhe krijim. Formim do të thotë t’i japësh formën asaj që ka ekzistuar mëparë, ndërsa krijim - të shpikësh diçka që nuk ka ekzistuar kurrë. Punëtori i cili ndërton një shtëpi, e ndërton atë prej tullave, dhe në këtë rast ai është formues e jo krijues. Prejardhja e tullave është nga dheu, pra përsëri bëhet fjalë për formësim të materies që ka ekzistuar më parë - dheut, ndërsa qëllimi i këtij shkallëzimi pyetjesh është se kush krijoi dheun - tokën? Pastaj kush krijoi ajrin, ujin dhe të gjithë atë që e shohim – gjithësinë?! Kush krijoi materien e parë prej të cilës u formuan të tjerat???

Për këtë çështje njerëzit, e madje edhe shkencëtarët më të mëdhenj ndahen në dy grupe. Njëri grup nuk di përgjigjen në pyetjen përfundimtare ose thotë se krijimi i materies ka ndodhur rastësisht, ndërsa grupi tjetër thonë se Krijues i të gjitha këtyre është Zoti.

Ata që thonë se gjithçka është krijuar rastësisht, bien në kundërshtim me logjikën e pastër dhe shkencën, sepse nga asgjëja nuk mund të krijohet diçka.[6] Pastaj, ligjet të cilave u nënshtrohet gjithësia nuk janë aspak të thjeshta: planetat nuk janë vetëm topa të mëdhenj që rrotullohen andej - këndej pa qëllim të caktuar, madje edhe për atomin (struktura e të cilit i ngjan shumë strukturës së një sistemi planetar) vlejnë ligje të ngjashme siç janë ato të planetave.[7] E gjithë kjo sinjalizon se ato i ka krijuar një Krijues - Zoti. Shkencëtari amerikan Cressy Morrison[8] jep një shembull mjaft të mirë për këtë. Ai thotë: merri dhjetë kokrra groshe dhe në çdonjërën prej tyre shëno numrat prej 1-10. Futi ato në xhep, përzieji me dorë dhe përpiqu që ta nxjerrësh kokrrën me numrin 1. Mundësia për ta bërë këtë do të jetë një me dhjetë (1:10). Nëse do të përpiqeshe t’i nxjerrësh me rradhë numrat një dhe dy, mundësia për këtë do të ishte një me njëqind (1:100), mundësia e nxjerrjes së numrave 1, 2, 3, dhe 4 me rradhë do të ishte një me dhjetë mijë (1:10.000), ndërsa mundësia e nxjerrjes së dhjetë numrave prej një deri dhjetë me rradhë do të ishte një me dhjetë bilion:

1:10.000.000.000 !!!

Kur dihet se trupat në gjithësi lëvizin me një precizitet të madh, duke mos u ndeshur njëri me tjetrin, me ç’rast mundësia e ndeshjes së tyre nuk është sikur t’i nxjerrësh dhjetë groshë prej xhepit me rradhitje të parapërcaktuar, por kjo mundësi është shumë më e madhe, atëherë përgjigjja se gjithësia është krijuar rastësisht dhe udhëhiqet me ligj të rastësishëm vërtet duket e dalur nga goja e njeriut që nuk ka menduar mjaft për t’u përgjegjur, por është përgjegjur rastësisht!

Këto janë vetëm disa nga argumentet më të thjeshta që dëshmojnë ekzistencën e Krijuesit dhe Ligjdhënësit të së gjithë asaj që ekziston, asaj që shihet dhe që nuk shihet. Argumente tjera njeriu sheh në çdo hap të jetës, por prej tij mvaret se a do t’i pranojë ato ose do t’i refuzojë, ai zgjedh vetë se cilit prej dy grupeve do t’i takojë.

Këtu vijnë në kundërshtim të madh grupet e lartpërmendur. Grupi i cili mohon ekzistencën e Zotit thotë se nëse Ai vërtet ekziston, atëherë përse Atë askush nuk mund ta shohë? Për këtë ekziston një përgjigje mjaft logjike: nëse Zotin do të mundej ta shohë çdokush, atëherë çfarë qëllimi do të kishte krijimi i gjithësisë? Nëse Ai do të dukej, të gjithë njerëzit do ta besonin ekzistencën e Tij, dhe do të mbretëronte paqja dhe harmonia absolute. Por, qëllimi i krijimit të gjithësisë është që të dallohen mosbesimtari dhe dyfytyrëshi nga besimtari, ndërsa në ditën e Gjykimit do të ndahen këta dy grupe (njëri për dënim, e tjetri për mëshirë) dhe çdokush do ta fitojë atë që e ka merituar sipas besimit dhe veprave.

2. Besimi në melekët (engjujt)

Melekët janë qenie që Zoti i krijoi nga drita. Ata kanë për detyrë kryerjen e detyrave që ua jep Zoti, dhe i kryejnë ato pa rezistencë.

Prej detyrave të tyre mund të numërohen: bartja e erërave, furnizimi, marrja e shpirtërave (në momentin e caktuar), shënimi i veprave të njeriut etj.

Një ndër dallimet esenciale mes njerëzve dhe melekëve është se njerëzit kanë lirinë e zgjedhjes të rrugës jetësore (mund të zgjedhin besimin ose mosbesimin).

3. Besimi në librat e shpallura

Për t’ua treguar njerëzve rrugën e besimit dhe të mirësisë, Zoti nuk i la ata të bredhin nëpër tokë ashtu siç duan vetë, por u dërgoi shpallje - ligje me anë të njerëzve të zgjedhur. Lajmëtari (i zgjedhuri) pranonte shpalljet nga Zoti në formë inspirimi dhe ia përcillte popullit, dhe kështu në mesin e popullit formohej një grupë besimtarësh. Shpalljet janë shkruar në gur, dru, lëkurë etj. Në dallim prej besimtarëve, gjithmonë ka pasur njerëz që shpalljet nuk i kanë besuar, e madje kanë luftuar për zhdukjen e tyre. Kështu origjinaliteti i shpalljeve është humbur, por Zoti vazhdimisht ka dërguar shpallje tjera, për ta ripërtrirë besimin në mesin e njerëzve.

Është e njohur se çdo Lajmëtar i Zotit ka qenë i frymëzuar nga Zoti, ndërsa si shpallje më të përmendura njihen shpalljet e Ibrahimit a.s., Musait a.s., Dawudit a.s., Isait a.s., dhe në fund, Muhamedit a.s..

Të gjitha këto shpallje janë humbur ose deformuar nga dora e njeriut, pos shpalljes së fundit, Kur’anit, të cilën kishte nder t’ua transmetojë njerëzve i zgjedhuri Muhamed a.s.. Pra, nga kushtet e besimit është të besuarit se Zoti ka dërguar shpallje, prej të cilave vetëm Kur’ani ngeli i padevijuar, me të cilin duhet të udhëhiqet jeta në tokë.

4. Besimi në të dërguarit

Më lart cekëm disa nga të dërguarit dhe qëllimin e dërgimit të tyre: transmetimin e ligjit të Zotit njerëzve. Besimtari duhet besuar në të gjithë të Dërguarit e Zotit, prej Ademit a.s. (Ibrahimin a.s., Nuhun a.s., Musain a.s., Isain a.s. etj.) deri në Muhamedin a.s., pa bërë dallim mes tyre.

5. Besimi në ditën e Gjykimit

Në këtë botë bëhen shumë padrejtësi. Kur dihet se çdo kënd i gjithësisë udhëhiqet me një ligj të përsosur dhe harmonik, të cilin e ka vendosur Zoti, është çudi si ky ligj nuk vlen edhe për njerëzit në tokë? Përse vetëm në tokë ka padrejtësi, gjakderdhje, luftëra, uri dhe sëmundje? Kjo arsyetohet me atë se vetëm njeriu ka lirinë e të zgjedhurit. Nuk ka dyshim se Zoti, Ligjdhënësi më i Drejtë, drejtësinë e vet do ta realizojë një ditë, e kjo është dita e Gjykimit, kur çdokush do ta japë llogarinë për atë se si e ka kaluar jetën në këtë botë: prindi do të shpërblehet për atë se e ka ushqyer fëminë, fëmija do të shpërblehet se e ka dëgjuar prindin, i sëmuri do të shpërblehet për atë se i ka duruar dhembjet dhe mundimet e sëmundjes, i dëmtuari do të shpërblehet se i është mbështetur Zotit kur e kanë dëmtuar... Nga ana tjetër, dijetari do të dënohet po të ketë mësuar vetëm që njerëzit të thonë se është i ditur, heroi do të dënohet po të ketë treguar trimëri vetëm që të thonë se është guximtar, ndërsa pasaniku do të dënohet po të ketë dhënë lëmoshë vetëm që të thonë se është dorëdhënë. Çdokush do ta japë llogarinë për atë se si e ka kaluar jetën në këtë botë: në besim - duke bërë vepra të mira vetëm për hir të Zotit, ose në mosbesim dhe duke i bërë veprat për hir të tjetërkujt pos Zotit, qofshin ato vepra të mira ose të këqia.

Pra kjo është ajo ditë kur realizohet drejtësia absolute.

6. Besimi në përcaktimin e Zotit

Allahu kohë pas kohe ia ka treguar njeriut udhëzimin mes shpalljeve të Tij. Sa i takon besimit, njeriu gjithmonë ka patur lirinë e zgjedhjes. Në Kur’an thuhet:

“...kush do, le të besojë, e kush do, le të mohojë...”[9]

Mirëpo, gjithmonë kanë ekzistuar disa çështje për të cilat njeriu nuk ka patur fuqi që t’i ndryshojë, si p.sh. ligjet “natyrore”, momentin e lindjes dhe vdekjes, furnizimin, etj. Këto përcaktime njeriu edhe të përpiqet, nuk mund t’i ndryshojë. Prandaj, besimtari e ka për obligim që të besojë se çdo gjë që i ka ndodhur, qoftë e mirë ose e keqe, i ka ndodhur me lejën e Allahut. Urtësia e këtij kushti të besimit shpjegohet në këta ajete:

“Nuk ndodh asnjë fatkeqësi në tokë e as në trupin tuaj, e që të mos jetë në shënime para se të ngjajë, e kjo për Allahun është lehtë, ashtu që të mos dëshproheni tepër për atë që ju ka kaluar, e as të mos gëzoheni tepër me atë që Ai ju ka dhënë, se Allahu nuk e do asnjë arrogant, lavdidashës.”[10]

Pra, me besimin e këtij kushti, në rast fatkeqësie besimtari fiton vullnet për të vazhduar jetën, ndërsa në gjendje të mirëqenies nuk jepet shumë pas gëzimit, sepse nuk e di se ç’mund t’i ndodhë të nesërmen, dhe kështu ia jep respektin e duhur Zotit të vet në të dy rastet.

Kushti i mirësisë
(Ihsanit)

-Ta adhurosh Allahun sikur ta shohësh, sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai vërtet të sheh ty.

 

Ihsani është kulminacioni i fesë. Kjo është gjendja kur njeriu më është bindur palëkundëshëm në ekzistencën e Zotit të vet, dhe e adhuron Atë ashtu siç është i urdhëruar, me ç’rast fitohet kënaqësia dyanëshe dhe harmonia mes krijesës dhe Krijuesit të vet.

E lus Allahun që të na e mundësojë këtë shkallë të besimit...

 

Lavd-falënderimi i takon Allahut,
qoftë paqja mbi të Dërguarin e Tij
, Muhamedin,
mbi ne, dhe mbi të gjithë shërbyesit e mirë të Zotit

Autor

Abdullah ebu Muhamed Abdurrahmani

Redaktor

Ymer Musa


[1] hadithi gjendet në Sahihul Buhari, e transmeton Ebu Hurejre (gjithashtu gjendet në Rijadus-Salihin, hadithi nr. 149)

[2] Islam do të thotë nënshtrim, dorëzim

[3] Iman do të thotë besim, bindje

[4] Ihsan do të thotë mirësi, etikë

[5] tr. Muslimi (gjithashtu gjendet në Rijadus-Salihin, hadithi n. 61)

[6] Luj Pasteri e vërtetoi rreth një shekull më parë këtë fakt shkencor me metodën që sot mban emrin “pasterizim”.

[7]  P.sh. rrotullimi i elektroneve rreth bërthamës atomike i ngjan shumë rrotullimit të planeteve të sistemit tonë rreth diellit.

[8] Cressy Morrison shkroi librin “MAN DOES NOT STAND ALONE” ku vërteton me argumente shkencore ekzistencën e Allahut, si përgjigje librit të Julian Huxley-t “MAN STANDS ALONE”, në të cilin ai pretendon se shkenca mohon ekzistimin e Zotit.

[9] Kehf: 29

[10] Hadid: 22, 23

lartė